Ymeri: Adem Grabovci është vegël e Kadri Veselit

Ymeri: Adem Grabovci është vegël e Kadri Veselit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se Adem Grabovci është vegël e Kadri Veselit, i cili përmes tij i arrin qëllimet e veta.

“Adem Grabovci është vegël. Veglat edhe vjetërrohen, ose për ndonjë arsye tjetër bëhen të papërdorshme. Kjo nuk nënkupton që puna përfundon. Ajo vazhdon me vegla tjera. Kadri Veseli është manipuluesi i veglës. Ai këto ditë po i ndërron veglat. Për ta vazhduar punën”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

“Puna e Veselit, përmes veglës Grabovci, nuk është thjeshtë rehatimi i të afërmve dhe miqve të partisë. Atë që po dëgjojmë nuk është thjeshtë nepotizëm. Ajo është kapja e shtetit në vepër. Kolonizim klasik i institucioneve shtetërore përmes “njerëzve tonë që na vyn aty”. E aty duhen për kontroll. Në gjyqësi për ta kontrolluar çfarëdo ndjekje penale të krimit. Në polici për ta kontrolluar çfarëdo hetim ndaj krimit. Në agjensi shtetërore për ta kontrolluar cilëndo sferë ekonomike të vendit dhe për t’i hapur rrugë krimit. Në ndërmarrje publike për t’i kontrolluar fondet publike dhe për t’i orientuar ato kah krimi. Ky është organizim kriminal. Apo krim i organizuar”, ka shtuar kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Ai ka thënë se nuk ka gjë më dashakeqësisht naive sesa të besohet se ky krim luftohet përmes nënshkrimit të kontratave me Kapon e këtij krimi të organizuar, Kadri Veselin, duke shtuar se kjo është edhe më keq kur kjo luftë të udhëhiqet nën siglën e ‘luftës kundër nepotizmit’.

Kreu i Vetëvendosjes, vlerëson se nuk ka dëshmi më të fuqishme të krimit të organizuar sesa sulmet e orkestruara ndaj atyre që më së shumti e luftojnë krimin e rrënjosur në institucione, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje!

“Në kohëra si këto, kur regjimi i krimit e sheh fundin e vet, i nxjerrë në pah, pa kalkulim, të gjitha veglat tjera, herë të fshehura e herë hapur. Dhe e organizon sulmin e vet mediatik, partiak, institucional, etj. Dhe kështu këto vegla vendosen detyrimisht në mbrojtje të krimit. Gazetarët e portalet e Kadrisë, veglat e Kadrisë ne LDK, të gjithë njëzëri filluan të reagojnë kundër VETËVENDOSJE!-s, që automatikisht i bie në mbrojtje të krimit’, ka thënë Ymeri.

Qeverisja e Vetëvendosjes në në Prishtinë, me Kryetarin Shpend Ahmeti, sipas Ymerit, është shembull i qeverisjes së mirë, anti-krim.

“Në secilin aspekt të kësaj qeverisje, prej ndërtimeve, e deri të prokurimi, prej punësimeve e deri te infrastruktura, prej shërbimeve e deri të transparenca, Komuna e Prishtinës është antipod i qeverisjes kriminale të deridjeshme në komunë, e që po vazhdon në nivel qendror. Por jo edhe gjatë. Sundimi i krimit nuk mund të zgjasë”, përfundon shkrimin Ymeri./Insajderi.com

Jep dorëheqje Adem Grabovci