
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se imponimi me dhunë i ratifikimit të demarkacionit vetëm sa do ta thelloj krizën politike dhe pakënaqësitë e qytetarëve.
“Imponimi me dhunë i kësaj Marrëveshje për demarkacion vetëm sa e thellon krizën politike dhe e rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Mënyra se si po sillet Qeveria nuk ka të bëjë fare me demokracinë, që funksionon me bindje, por me autokracinë kriminale, e cila funksionon me forcë”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.
Ai më tutje ka thënë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me ratifikimin e demarkacion duhet ta heqë diplomacia e Kosovës
“Po na thonë se miratimi i demarkacionit është kusht për liberalizim të vizave. Është detyrë e qeverisë dhe e diplomacisë së Kosovës që ta heqë këtë kusht. Fakti është se ky kusht nuk ka qenë për asnjë vend tjetër, madje Ukraina e Gjeorgjia të cilave iu liberalizuan së fundmi vizat, kanë kufij të kontestuar”, ka thënë Ymeri.
Ymeri ka shtuar se për këtë kusht askush nuk ka arritur ta shpjegoj lidhjen që ka demarkacioni dhe liberalizimi i vizave.
“Asnjëherë askush nuk ka arritur ta shpjegojë me argumente të bazuara lidhshmërinë në mes të demarkimit të vijës kufitare dhe procesit të liberalizimit të vizave. Me sa duket, dikush ka bërë lobing që Kosovës t’i vihet edhe ky kusht, që të vështirësohet argumenti opozitar”, ka shtuar Ymeri.
Sot gjatë ditës një kërkesë për votim të demarkacionit me Malin e Zi e patë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon./Insajderi.com