Ymeri: Javën e ardhshme një javë pushim për të gjitha shkollat

Ymeri: Javën e ardhshme një javë pushim për të gjitha shkollat

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë, transmeton Insajderi.

Pas pushimit, procesi mësimor do të vazhdojë të zhvillohet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Lajmin e ka bërë të ditur për KosovaPress, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e së martës që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci dhe akterë të tjerë të përfshirë në sistemin arsimor.

Ymeri ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkollat në nivel vendi.

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, është shprehur ai.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore.

Ymeri ka pohuar se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune, një të shtune po, një të shtune jo në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që kalendari për klasën 1-8 viti shkollor përfundon me 30 qershor mos të shtyhet edhe në korrik mësimi”, ka thënë ai.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të mbahet nga 29 marsi deri me 4 prill, por që pushimi të mbahet nuk kishte vendosur qeveria në detyrë./Insajderi.com