Ymeri kritikon mënyrën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka përkujtuar referendumin e vitit 1991, ku 99.87 e qytetarëve votuan për Republikën e Kosovës. Ymeri ka tërhequr paralele ndërmjet këtij referendumi dhe shpalljes së pavarësisë më 2008, për ç’gjë tha se është bërë gabim që nuk është pyetur populli.

Ymeri kritikon mënyrën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Ymeri konsideron se vota në referendumin e para 25 viteve, ka qenë përpjekja demokratike për çlirim kombëtar, por që ra në vesh të shurdhër te ndërkombëtarët dhe që çoi pastaj tek Lufta Çlirimtare.

“Shpallja e pavarësisë më 2008, pa e përfshirë popullin në të as si përpjekje çlirimtare e as si aktualitet demokratik, bëhet një zë i pavarësisë paradoksalisht i shkëputur nga trupi e nga truri që kanë nevojë për atë pavarësi. Ky zë i shkëputur nga trupi e nga truri i kombit, flet fjalët e tjetërkujt”, është shprehur lideri i VV-së.

Ymeri përmendi tërthorazi edhe referendumin e mbajtur dje në Republikën Serbe në Bosnjë, duke thënë se ai referendum shfaq hapur pabarazinë mes popujve.

“Mësimi është i vlefshëm ende sot, në kohën kur referendumet po i lejohen shtypësve, por nuk po i lejohen të shtypurve. Ky mësim është i tillë: Asnjë popull në botë, pra as shqiptarët, nuk durojnë të jenë të pabarabartë”, shkruan Ymeri.

Ai shton se çdo përpjekje për normalizim të pabarazisë, të diskriminimit, apo të heqjes së sovranitetit të një populli, në këtë rast popullit tonë, e cenon të ardhmen paqësore të regjionit./Insajderi.com