Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në 26-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, apo siç njihet si Kushtetuta e Kaçanikut, ka thënë se kjo ka qenë shumë më e mirë sesa kjo e Arsim Bajramit e Hajredin Kuçit.
“Ajo nuk e kishte nenin absurd e antidemokratik 1.3 që i bën shqiptarët fajtorë”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
Postimi i plotë:
“Sot bëhen 26 vjet nga miratimi Kushtetutës së Republikës së Kosovës, apo siç njihet Kushtetuta e Kaçanikut. Kjo Kushtetutë e shkruar nga Akademiku Gazmend Zajmi, në Nenin e parë të saj përcakton që “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.”(Neni 1)
Kjo Kushtetutë e Gazmend Zajmit ishte shumë më e mirë dhe më e drejtë sesa kjo e Arsim Bajramit e Hajredin Kuçit. Ajo nuk e kishte nenin absurd e antidemokratik 1.3 që i bën shqiptarët fajtorë.
Njëkohësisht Kushtetuta e Kaçanikut kushtëzonte që “Organizimi i jetës ekonomike dhe sociale rregullohet në mënyrën që të gjithë qytetarëve t’u sigurojë standard të jetesës në pajtim me drejtësinë, të bazuar në punën e tërësishme, si burim i mirëqënies, dhe në pajtim me dinjitetin njerëzor.”(Neni 24)
Pra në qendër ishte njeriu, shoqëria, drejtësia, mirëqenia dhe dinjiteti, e jo tregu, privatja…
Kushtetuta e Kaçanikut krijonte një hapësirë shtetërore dhe ekonomike demokratike, dhe hapësirë për ndërmarrësinë private, por aktivitetin ekonomik ia nënshtronte mirëqenies shoqërore. Pra kushtëzonte një ekonomi që krijon mirëqenie për shoqërinë, e jo një shoqëri që e sakrifikon mirëqenien për tregun”(sic.)