Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se ishte ai që ka propozuar Albin Kurtin që të jetë kandidat për kryeministër nga Lëvizja dhe do të jetë ai që do të marrë përgjegjësi në rast se ai humb garën për kryeministër.
Kryetari i Vetëvendosjes pohoi se s’ka kandidat më të mirë për kryeministër të shtetit sesa Albin Kurti, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Vetëvendosjes, përfshirë edhe kandidatët e tjerë, nga koalicionet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR.
“Unë e kam propozuar Albin Kurtin që të jetë kandidat për kryeministër, sepse mendoj se Vetëvendosje edhe në këtë garë garon me kandidatin më të mirë për kryeministër, jo vetëm brenda Vetëvendosjes, por në gjithë spektrin politik”, ka pohuar Ymeri.
“Prandaj jam i lumtur dhe me vullnet të plotë e ka përkrahur secili anëtar i Lëvizjes, Albin Kurtin për kandidat për kryeministër”, ka shtuar ai në “Magazinën Zgjedhore” në Klan Kosova,
Ai ka thënë se përgjegjësia për humbjen eventuale në zgjedhjet e 11 qershorit i bie atij, si drejtues i partisë.
“Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje i bjen përgjegjësia për këtë betejë elektorale, nga nominimi i kandidatit për kryeministër, tek lista e deputetëve dhe dizajnimi i fushatës zgjedhore. Përgjegjësia është e imja. I jepet organeve të Vetëvendosjes, e pastaj anëtarësisë, që më ka zgjedhur”.
Ai ka deklaruar se fitorja e Vetëvendosjes është fitore e popullit, ndërsa nuk ka përjashtuar një koalicion të mundshëm paszgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Kur fiton Lëvizja Vetëvendosje fiton jo vetëm ajo, por fiton Republika, fiton populli i Kosovës. Sepse partitë e tjera e kanë dëshmuar se nuk e kanë as dëshirën, as aftësinë për të punuar për të mirën e vendit”.