Ymeri: Shkarkimi i ish-Drejtorit të Policisë lidhet me arrestimin e Haki Rugovës

Ymeri: Shkarkimi i ish-Drejtorit të Policisë lidhet me arrestimin e Haki Rugovës

Ish kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka folur për zhvillimet e fundit në vend që lidhen me shkarkimin e Rashit Qalajt dhe arrestimin e Haki Rugovës, njofton Insajderi.

Ymeri ka thënë se për shkarkimet dhe emërimet e reja në institucione të ndryshme duhet të pritet dhe nuk duhet nxituar për të bërë komente.

“Duhet të pritet të shihet puna e të emëruarve të rinj, zakonisht secila parti që vjen në pushtet ashtu vepron, emëron njerëzit e vet”, tha ai.

Analisti thotë se meqë PDK-ja ka qenë në pushtet për një kohë të gjatë ajo ka ndikimin e saj nga policia te gjyqësia.

“Nëse një parti ka fuqi t’i ngrejë dikujt hetim dhe ta arrestojë dikë, ajo është PDK-ja. Deri vonë është fol se Drejtori i Policisë (Rashit Qalaj) është njeri i afërt i PDK-së, veçanërisht me një degë të PDK-së që udhëhiqet nga deputetin Elmi Reçica. Pra Drejtori i Policisë ka qenë njeri i afërt dhe mik me Elmi Reçicën”, ka thënë Ymeri në Tv Dukagjini.

“Nëse arrestimi i Haki Rugovës ka qenë i nxitur nga elementë të caktuar brenda policisë dhe prokurorisë, atëherë nuk e di kush tjetër mund ta ketë bërë këtë pos PDK-së. Mirëpo tash nëse e ka bërë PDK-ja duhet ta diskutojmë motivin politik pse e ka bërë PDK-ja kundër LDK-së”./Insajderi.com