Ymeri: Trump, në një vijë me qëndrimet e Serbisë

Ymeri: Trump, në një vijë me qëndrimet e Serbisë

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk kishte të drejtë kur barazoi Kosovën dhe Serbinë në deklaratën për “vrasje masive”, njofton Insajderi.

Ymeri ka thënë se është shumë problematike qasja që ka Trump në raport me Kosovën gjatë fushatës elektorale.

“Trump gjatë një tubimi elektoral e përmendi se “shqiptarët dhe serbët janë vrarë mes vete”. Ky barazim që e bënë Trumpi me apo pa vetëdije është në një vijë me qëndrimet e Serbisë se të gjithë kanë vrarë në luftërat e ish-Jugosllavisë”, ka thënë Ymeri në Rtv Dukagjini.

Tutje Ymeri ka thënë “se shqiptarët dhe serbët nuk kanë qenë të barabartë në vrasjet masive siç i ka përmendur Trump”.

Ai thotë se Kosova duhet të reagojë për këtë “deklaratë të pasaktë të Trumpit”.

Ymeri thotë se është problematike nëse Trump mendon se serbët dhe shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë.

Ai thotë se kjo në mënyrë indirekte do t’i hapte rrugë  ndarjes së Kosovës.

Ymeri thotë se Trump po pretendojë që ta paraqes veten si paçebërës në botë me marrëveshjet Kosovë-Serbi dhe ato që Izraeli bëri me vendet arabe./Insajderi.com