Z-Mobile i jep Telekomit afat gjashtë muaj

Z-Mobile i jep Telekomit afat gjashtë muaj

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka bërë të ditur se është mbajtur një takim në mes të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesve të Telekomit dhe përfaqësuesve të Z-Mobile, për çka thotë se është kërkuar që borxhi prej afro 23 milionëve që ka Telekomi ndaj Z-Mobile, për refuzim të kërkesës për dhënien e 100 mijë numrave për Z.Nobile, të paguhet brenda gjashtë muajve, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit, njofton Insajderi.

Sipas informatave të tij, Balaj thotë se Qeveria dhe përfaqësues të Telekomit të Kosovës, si marrëveshje kanë ofruar 250 mijë euro në muaj, mirëpo përfaqësuesit e kompanisë Z-Mobile kanë refuzuar.

“Është zhvilluar një takim në ministrin, ne nuk kemi qenë të informuar për këtë takim. Nga burimet tona brenda takimit, kemi marrë informata që në atë takim kanë qenë përfaqesuesit e kompanisë ish Z-Mobile, përfaqësueses të Qeverisë dhe Telekomit, ku Qeveria dhe Telekomi e kanë ofruar një marrëveshje për pagesën e borxhit ndaj Z-Mobile, të cilën ata e quajnë pagesë, ndërsa për neve si sindikatë është i papranueshëm ai borxh. Qysh i kemi informatat, Qeveria i ka ofruar deri 250 mijë euro në muaj, ndërsa përfaqësuesit e Z-Mobile kanë qenë kategorik kundër, kanë kërcënuar me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit dhe kanë kërkuar që borxhi të paguhet në gjashtë këste”, ka thënë Balaj.

Balaj ka deklaruar se nuk do të lejohet bllokomi i xhirollogarive. Ai ka thënë për KosovaPress, se po tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit, të kalohen te Z-Mobile.

“Nuk do të lejojmë që të bëhet bllokimi i xhirollogarive sepse tashmë gjithçka është e qartë se në emër të këtij borxhi, në emër të kësaj afere, Z-Mobile është ka tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit të shkojnë në Z-Mobile, por kjo është kapitull i mbyllur, domethënë nëse vdesin 2400 punëtorë, atëherë kjo mund të bëhet, por, derisa kjo kryesi i prinë kauzës së punëtorëve, atëherë një gjë e tillë ua garantojmë se nuk do të ndodhë”, thotë ai.

Ai tutje ka thënë se këto kontrata i ka nënshkruar përfaqësuesit e Telekomit të ardhura nga Qeveria, bordet e ardhura nga Qeveria dhe shkëputjen e tyre duhet ta bëjë prapë Qeveria.

E në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat e Telekomit të Kosovës, Balaj thotë se situatën do ta marrin në dorë këta.

“Hapat tonë si sindikatë janë të qartë… është vendim i kryesisë, është marrë vendim me aktivizuar këshillin e grevave, këshilli i protestave dhe në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat tona, atëherë hapat tonë janë të pa shmangshëm që situata do të merret në dorë”, ka thënë ai.

Balaj gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria që të zgjidhet një bord i ri, pasi që siç thotë ai, duhet të zgjidhet një bord profesional të cilët e njohin telekomunikacionin dhe jo njerëz që punojnë për interesa të veta personale. /Insajderi.com