
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka mbajtur një fjalim, pas përfundimit të procesit të votimit në referendumin për emrin e ri të shtetit.
Ai ka thënë se marrëveshja e arritur me Greqinë, për emrin e ri Maqedonia Veriore, do të çohet për votim në Parlament – nëse shumica e pjesëmarrësve në referendum kanë votuar pro.
Zaev ka paralajmëruar se në rast se deputetët s’do ta votojnë marrëveshjen, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, raporton nga Shkupi, gazetarja e televizionit T7, Arlena Krivenjeva.
“Uroj qytetarët, dita e sotme ishte e suksesshme për demokracinë, dhe e suksesshme për një Maqedoni evropiane”, ka deklaruar ai.
“Suksesi është i përbashkët dhe i të gjithë qytetarëve pa dallim”, është shprehur Zaev, teksa ka përmendur edhe bojkotin e organizuar nga kryesia e VRMNO-DPMNE.
“Do të presim disa orë për rezultatet finale”, ka thënë shefi i ekzekutivit maqedonas.
“Presim të gjithë të kemi një shumicë të madhe nga ajo që kanë votuar”, ka shtuar ai.
“E kemi të qartë të ardhmen tonë, vota e deputetëve duhet të jetë me përgjegjësi. Pres që deputetët e VRMNO-DPMNE të respektojnë votën, përndryshe do të përdorim veglën tjetër, zgjedhje të menjëhershme, të parakohshme”, ka deklaruar Zaev.