Zaev: Nuk kam plan B për kontestin me Bullgarinë

Zaev: Nuk kam plan B për kontestin me Bullgarinë

“Në përvojën time modeste politike si kryetar i qeverisë, ne kurrë nuk kemi hartuar një ‘plan B’, sepse atëherë kjo do të nënkuptojë se po heqim dorë nga ‘plani A'”, deklaroi sot, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse vendi ka një “plan B”, nëse negociatat për anëtarësim në BE nuk fillojnë në dhjetor, njofton Insajderi.

“Nuk dua të flas për planin B, ne duhet të kemi sukses”, theksoi Zaev.  Sipas tij, e vetmja mundësi është gjetja e zgjidhjeve me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

“Unë besoj se ka zgjidhje edhe për këto çështje, të cilat janë një sfidë aktuale”, potencoi Kryeministri.

Ai deklaroi se beson se Komisioni i përbashkët i Maqedonisë dhe Bullgarisë për çështje historike do të jetë në gjendje të gjejë zgjidhje.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se është koha për zgjidhje politike mes Shkupit e Sofjes, por s’mund të bëhen kompromise për historinë dhe identitetin.

“Anëtarët e Komisionit maqedonas-bullgar janë profesionistë, ashtu si deri tani, do ta kërkojnë dhe mbrojnë të vërtetën historike dhe interesin kombëtar të Bullgarisë. Porosia ime për ta është që politikanët nuk duhet ta dështojnë këtë proces të rëndësishëm për Bullgarinë, Maqedoninë dhe BE-në. Është koha e fundit të gjendet zgjidhje politike që do t’i konfirmojë të gjitha parimet e respektimit të historisë, fqinjësisë së mirë dhe identitetit tonë. Gjithmonë ka hapësirë për kompromise, por ato nuk mund të bëhen me historinë, identitetin, gjuhën ose me kërkesat e pakicave kombëtare”, deklaroi Rumen Radev.

Opozita maqedonase përsërit qëndrimin se do të ishte dështim për Qeverinë Zaev nëse Bullgaria bllokon fillimin e negociatave me BE-në, në fund të vitit.

VMRO-DPMNE-ja akuzon Zaevin se kishte gënjyer kohë më parë, kur kishte deklaruar se i ka zgjidhur të gjitha çështjet në planin e jashtëm. /Insajderi.com