Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para se të shqiptojnë fjalën “ligj”, duhet të vendosin sanksione ndaj vetes për shkak të Jugosllavisë dhe Irakut dhe të vrarëve në të gjithë botën, transmeton Insajderi.
Ajo ka hedhur akuza ndaj SHBA-së se është përgjegjëse për miliona njerëz të vrarë dhe të gjymtuar, shkruan agjencia serbe e lajmeve ‘Tanjug’.
“Që kur Shtetet e Bashkuara filluan të jetojnë sipas ligjit? Mënyra se si ata operojnë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike nuk bjen në pajtim të asnjë ligji – është plotësisht e paligjshme. Së pari, le të dënojnë veten e tyre me sanksione për Jugosllavinë dhe Irakun, për miliona të vrarë dhe gjymtuar. Atëherë ata mund të thonë fjalën “ligj”, tha Zaharova.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më herët deklaroi se takimi i fundit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Joseph Biden dhe Vladimir Putin, në Gjenevë, nuk solli ndonjë ndryshim në politikën e sanksioneve të Uashingtonit kundër Rusisë.
Sipas saj, ligji përcakton që Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të marrë parasysh kufizimet në lidhje me përdorimin e armëve kimike.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vendosin sanksione ndaj kompanive dhe organizatave ruse që marrin pjesë në projektin Nord Stream 2”, njoftoi dje Jake Sullivan, një këshilltar i presidentit amerikan.
Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosnin sanksione shtesë ndaj Rusisë për trajtimin e liderit të opozitës Alexei Navalny, sa më shpejt që ajo “të përcaktojë objektivat e duhur”. /Insajderi.com