Policia e Kosovës është deklaruar rreth zbatimit të marrëveshjes për targat, që ka filluar të implementohet nga ora 08:00 e mëngjesit të 4 tetorit, njofton Insajderi.com.
Siç bëhet e ditur nga PK, si institucion i zbatimit të ligjit thuhet se ka bërë përgatitjet e nevojshme për implementimin dhe zbatimin e vendimit, i cili i referohet marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me vendosjen e targave të përkohshme që do të jenë në formën e stikersave.
“Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në nivel vendi, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, pasi me kohë janë bërë përgatitjet si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore po ashtu edhe të atyre logjistike, në mënyrë që të ju mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë me targa të përkohshme në formë të stikersave dhe mundësia e qarkullimit dhe lëvizjes së lirë”, thuhet në njoftimin e policisë për media.
Policia më tej shton se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi.
Kjo vjen dy javë pas fillimit të reciprocitetit me targa, të vendosur nga Qeveria e Kosovës ku të gjithë qytetarët serbë duhej t’i vendosnin tabelat e përkohshme sa qëndronin në Kosovë dhe t’i largonin ato serbe – gjë që çoi në bllokimin e veriut për 14 ditë.
Pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, që nga e shtuna janë liruar për qarkullim, pas largimit të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Këto dy pika kufitare ishin bllokuar me kamionë me zhavorr nga serbët lokalë, në shenjë proteste për reciprocitetin për targat e Serbisë të vendosur nga Qeveria e Kosovës më 20 shtator 2021.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Të shtunën filloi edhe zbatimi i pikës së parë të kësaj marrëveshje, e parasheh largimin e protestuesve serbë, si dhe zëvendësimin e njësive speciale me trupat e KFOR-it në pikat kufitare në veri. /Insajderi.com