Zbulimi në “heshtje” i bustit të Hillary Clinton në Sarandë

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar të enjten, se në Sarandë gjatë pasdites të së mërkurës, kryebashkiakja e këtij qytetit bregdetar ka zbuluar bustin në bronz të Hillary Clinton. Por kjo ka kaluar në heshtje nga mediat shqiptare të cilat nuk kanë raportuar për këtë ngjarje. Ndërsa në mediat ndërkombëtare ky lajm ka marrë dhenë. Por mungon fotografia.

Zbulimi në “heshtje” i bustit të Hillary Clinton në Sarandë

Busti i kandidates së Partisë Demokratike për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është zbuluar të mërkurën në sheshin kryesor të Sarandës, raporton Insajderi.

Lajmi për zbulimin e këtij busti është dhënë vetëm në mediat ndërkombëtare sikurse “AP”, “Reuters” dhe “The New York Times”.

Për Reuters, kryetarja e bashkisë së Sarandës, Florjana Koka ka thënë se kjo shtatore është si “falënderim ndaj popullit amerikan dhe qeverisë për atë që kanë bërë për popullin dhe kombin shqiptar”.

“Ajo në veçanti përmendi përfshirjen e Clinton-it në çështjet e komunitetit shqiptar në SHBA dhe promvimin e rolit të grave, denoncimit të gjenocidit serb dhe mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës”, raporton AP-ja.

Kryetarja e bashkisë i ka thënë Reuters, se është e bindur se busti i Hillary Clinton si një figurë emblematike e diplomacisë dhe politikës amerikane, nderon jo vetëm Sarandën por edhe qytetarët e saj dhe miqtë në mbarë botën, raporton Insajderi.

“Clinton na jep modelin e grave në politikë, diplomaci dhe qeverisje në vendin më demokratik në botë”, citohet të ketë thënë Koka për AP-në.

Reuters thotë se zbulimi i bustit u bë para një mase të vogël njerëzish të mërkurën në Sarandë por për këtë nuk kanë raportuar mediat në Shqipëri.

“Sido që të jetë rezultati i zgjedhjeve të nëntorit në SHBA, Hillary Clinton ka mbështetje të fortë nga Saranda, pasi i ka ngritur një bust bronzi për ta falënderuar për mbështetjen e kauzave shqiptare”.

Ndërsa skulptori i këtij busti, Idriz Balani, i ka thënë AP-së, se zbulimi i bustit nuk ka të bëjë asgjë me procesin e zgjedhjeve në SHBA.

“Ne menduam ta vendosim në Sarandë sepse Saranda është një perlë e Shqipërisë dhe një zonjë sikurse Clinton të cilën unë do ta parafrazoja gjithashtu si ‘perlë’ do të rrijë shumë mirë në një perlë shqiptare”, citohet të ketë thënë Balani.

Në Shqipëri dhe Kosovë janë vendosur vitet e fundit buste të figurave të njohura amerikane. Krahas bustit të Presidentit Willson në Tiranë dhe bustit të Presidentit Bill Clinton në Prishtinë , një bust i Presidentit George Bush është ngritur në Fushë Krujë në nderim të vizitës së tij në këtë qytezë të vogël . Ndërkohë në Fier është vendosur një bust i diplomatit Richard Holbrooke./Insajderi.com