fbpx

Zbulohen lidhjet e Radojçiqit me elitat politike në Kosovë dhe në Serbi

Zbulohen lidhjet e Radojçiqit me elitat politike në Kosovë dhe në Serbi

Sipas raportit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nga aktivitetet e paligjshme në veri të Kosovës buxheti i shtetit humb rreth 750 mijë euro në javë, ku zhvillohet kontrabandë me derivate, kontrabandë e materialit ndërtimor, e barnave, e cigareve etj. Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se brenda vitit nga këto aktivitete ilegale arka e shtetit humb rreth 40 milionë euro në vit.

Raporti shkruan edhe për lidhjet e Radojçiqit me elitat politike në Kosovë dhe në Serbi. Theksohet se njëri nga ortakët e Veselinoviqit është Milan Radojiçiq, që deri tani vonë ishte një person gati i panjohur, që kishte në pronësi një restorant në Mitrovicën e Veriut. Gjërat ndryshuan pas vrasjes së politikanit serb nga veriu, Oliver Ivanoviq. Para se të vritej Ivanoviq dha një intervistë për Rrjetin e Gazetarëve Investigativë të Ballkanit (BIRN) dhe tha se Radojiçiq ishte “sundimtari i zi i veriut të Kosovës” dhe “një figurë kryesore në një sistem pushteti të frikshëm në veri të Kosovës”.

Po kështu Ivanoviq, sipas këtij raporti, tha se pushteti në veriun e Kosovës nuk u përkiste zyrtarëve të zgjedhur dhe institucioneve vendore dhe se Radojiçiq kishte akumuluar shumë pushtet dhe ndikim në proceset vendimmarrëse. Në qershor 2018, kur interesi nga ana e publikut mbi këtë çështje kishte arritur kulmin, Radojiçiq u zgjodh zëvendëskryetar i Listës Serbe, që mund të konsiderohet si partia motër në Kosovë e Partisë Progresive në Serbi.

Lista Serbe ka pushtet mbi katër bashkitë e veriut të Kosovës dhe është një aleate në koalicionin qeveritar të Kosovës. Me gjithë tensionet etnike, thuhet se Radojiçiq gëzon, të paktën deri tani vonë, lidhje të ngushta me elitat politike si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë.

E, megjithatë, ai arrin të manipulojë dhe të përftojë me sukses nga statusi i kontestuar i Kosovës. Në momentin kur dukej se po i shtrëngohej laku ai refuzoi të njihte legjitimitetin e forcave të rendit të Kosovës dhe refuzoi të dorëzohej në Polici, duke luajtur kartën e serbit të Kosovës, transmeton “Zëri”.

Nga ana tjetër, ai refuzoi të njihte edhe juridiksionin e gjykatave serbe dhe t’u përgjigjej disa pyetjeve të vështira, me justifikimin se ai nuk mbante ndonjë post në Serbi. Radojiçiq jeton në Serbi që nga fundi i vitit 2018.