Zbulohet e kaluara e errët e producentit dhe lidhja me trafikun e drogës në Suedi

Zbulohet e kaluara e errët e producentit dhe lidhja me trafikun e drogës në Suedi

Ekzekutimi i Flamur Beqirit, që njihej si producent muzikor, ka tronditur Londrën, ndërkohë që mediat britanike, pas një investigimi me mediat suedeze, kanë zbuluar të kaluarën e errët të 36-vjeçarit.

Beqiri raportohet se ka qenë i lidhur me disa vrasje mes shqiptarëve në Suedi, gjatë kohës që jetonte atje. I rritur mes Kosovës e Shqipërisë, ai emigroi kur ishte ende fëmijë në Suedi.

Aty u lidh me mafien e nëntokës suedeze, dhe në vitin 2008 u procedua për futjen e një sasie kokaine me vlerë 2 milionë dollarë në Skandinavi.

Para se të transferohej në Britaninë e Madhe tre vjet më parë, disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Suedi u vranë.

Ai ishte shpallur si personi më i kërkuar në Suedi, ndërkohë që nuk u mor vesh si arriti të mos arrestohej dhe për më tepër, të transferohej në Britani, kur deri dy ditë më parë jetonte në dukje i qetë, dhe madje kishte blerë një super shtëpi për 1.5 milionë euro. Beqiri njihej për jetën luksoze.

Ai u martua në vitin 2018 me bashkëshorten e tij Debora Krasniqi, në liqenin e pasanikëve në Itali, Como, në një ceremoni super luksoze, me të ftuar nga disa vende të botës.

Me Deboran u njoh gjatë martesës së të motrës, e cila është një yll dhe personazh i njohur në Britani.

Gjatë një interviste për një revistë britanike, Deborah kishte rrëfyer njohjen me të shoqin, i cili e mori në telefon dhe folën për disa orë pa shkëputje, dhe më pas u takuan.

Policia thotë se për momentin nuk ka ende asnjë të dyshuar për vrasjen e 36-vjeçarit, i cili u ekzekutua ndërsa kthehej në shtëpi bashkë me të shoqen dhe fëmijën e vet.