Zbulohet pllaka përkujtimore për 21 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

Zbulohet pllaka përkujtimore për 21 zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

Pllaka përkujtimore “Heronjtë e Kosovës” në nderim të 21 zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, është zbuluar sot në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili përmendi emrin e Enver Zymberi duke thënë se është symbol i sakrificës.

Kurti tha se Zymberi punoi për një Kosovë të lirë, demokratike, të pavarur me shtet të së drejtës për të gjithë.

“Enver Zymberi është simbol i sakrificës për integritet territorial dhe sovranitet shtetëror. Për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur me shtet të së drejtës për të gjithë. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës 21 vjet më parë 21 zyrtarë dhanë jetën në krye të detyrës. Sot ne nderojmë veprat e burrave dhe grave që ranë duke mbrojtur viktimat e dhunës në familje dhe duke mbrojtur territorin”, ka thënë ai.

21 policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Mehmeti, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanoviq, Misin Krasniqi, Enver Zymberi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaçi. /Insajderi.com