
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë (FIU-K) kanë lansuar sot raportin e parë mbi tipologjitë e pastrimit të parave nga personat e ekspozuar politikisht në Kosovë.
Gjatë prezantimit, drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu foli për të gjeturat e raportit.
Ai shpreson se kjo tipologji do të jetë mbështetje për institucionet e Republikës së Kosovës që merren me marrjen e masave parandaluese të këtyre dukurive, raporton Indeksonline.
“Për më tepër është bërë përpjekje maksimale të kemi një kornizë ligjore të zbatueshme për vendin dhe në harmoni me standardet ndërkombëtare. Është nxjerr një numër i konsiderueshëm i legjislacionit sekondar. Janë kryer vlerësime të rreziqeve nacionale dhe sektoriale. Janë hartuar Strategji nacionale me qëllim të parandalimit dhe luftimit sa më efektiv të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në përgjithësi. Janë mbajtuar trajnime me një numër të kënaqshëm të subjekteve raportuese”, ka thënë Nuhiu.
Sipas tij, numri i rezultateve të analizave të shpërndara nga NJIF-K ka shënuar rritje nga viti në vit.
“Si rezultat i anëtarësimit të Egmont Group, është shënuar progres i theksuar i shkëmbimit ndërkombëtar të informacionit dhe ngritje e nivelit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Bashkëpunimi ndër-institucional mbetet ndër prioritetet kryesore të njësisë. E gjithë kjo është arritur falë vullnetit dhe përpjekjeve maksimale të gjithë stafit të NJIF-it”, ka thënë tutje Nuhiu.
Kurse, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet vlerësoi se ambienti i përshtatshëm në Kosovë për korrupsion si dhe mungesa e autoriteteve në përkrahjen efektive të gjyqtarëve, Policisë dhe Prokurorisë janë dy nga arsyet pse në Kosovë nuk ka ulje të korrupsionit.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që korrupsioni është një e keqe dhe që korruptuesit dhe të korruptuarit delikuentë duhet dënuar, dhe se korrupsioni dëmton vendimet politike dhe ekonomike, duke dëmtuar kështu sundimin e ligjit dhe në fund dëmton qytetarët. Ne po ashtu e dimë që vite të tëra deklaratat nga autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë nuk kanë pasur ndikim në uljen e korrupsionit. Unë shoh dy arsye: E para është ambienti i përshtatshëm i korrupsionit, për shembull legjislacioni joadekuat, pagat jo të mjaftueshme në sektorin publik dhe këto na sjellin në atë situatë që mund të sillet ose të mbahen shumë shpejt, si dhe arsyeja e dytë është e lidhur me mbështetjen efektive të prokurorëve gjyqtarëve në mënyrë që të garantohet pavarësia”, theksoi ambasadori zviceran.
Përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Kosovës, Ulrika Richardson shtoi se Kosova është duke bërë progres në luftimin e korrupsionit, por institucionet duhet të fokusohen që të kenë rezultate konkrete.
“Është e qartë që Kosova po bën progres dhe të gjithë ne po shohim progres të vazhdueshëm, për autoritetet është një kërkesë për rezultate konkrete dhe është një rrugë drejt Integrimit Evropian. Agjencioni kundër Korrupsionit duhet të japë më shumë sanksione të vlerësojë riskun e korrupsionit brenda legjislacionit”, tha Richardson.
Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tha se kjo agjenci merret me çështje nga më të ndryshmet në luftimin e korrupsionit.
Sipas tij, raporti i përgatitur nga UNDP dhe NjIF do të ndihmojë në përpjekjet e tyre të përbashkëta në luftimin e korrupsionit.
Havolli vlerësoi se pastrimi i parave është një dukuri që kalon edhe kufijtë, andaj edhe është i rëndësishëm bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve.
“Raporti i përgatitur paraqet një vlerë të shtuar në përpjekjet e tona të përbashkëta në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është me rëndësi që të pamundësohet pastrimi i parave”, duke shtuar se ka bashkëpunim edhe me ATK-në për parandalimin e ekonomisë joformale.