“Zbutja” e Dardan Molliqajt për organizimin e protestave

“Zbutja” e Dardan Molliqajt për organizimin e protestave

Dikur ishte si prijës i turmave protestuese, kur Vetëvendosja organizonte demonstrata në rrugë. Por përderisa para dy vitesh ishte një nga organizatorët kryesorë të protestave, sot Dardan Molliqaj si deputet i PSD-së ka qëndrime më të buta.

Në janarin e vitit 2016, Dardan Molliqaj bënte thirrje te qytetarët që të protestonin për ta kundërshtuar Asociacionin e Demarkacionin.

Madje për të bëmat e tij në protesta ai kishte edhe fletarrest, shkruan Insajderi.

“Protesta gjithëpopullore më datën 9 janar është me rëndësi të madhe sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në njërën anën dhe në anën tjetër thyerjes së zyrave të subjektit më të madh opozitar nga dhuna e pushtetit përmes Policisë, do të shprehë fitoren tonë në raport me marrëveshjet, por edhe do të nisë rrugën tonë për t’ia kthyer Kosovës demokracinë dhe lirinë”

“Të gjitha protestat tona deri më tani kanë pasur rezultate. Falë protestave brenda dhe jashtë Kuvendit sot kemi njërën marrëveshje të vdekur përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe marrëveshjen tjetër të delegjitimuar plotësisht. Edhe protesta e datës 9 janar do të japë rezultatet e pritura”, thoshte Dardan Molliqaj aso kohe.

Por më shumë se dy vite pas, ish-sekretari i Vetëvendosjes ka qëndrime më të zbutura për protestën e Vetëvendosjes që është thirrur për të shtunën.

Edhe pse protesta e Vetëvendosjes lidhet me temën e territoreve sikur në vitin 2016, më saktësisht kundër diskutimit të ndryshimit të kufijve, Molliqaj ka thënë se PSD-ja nuk do ta përkrahë.

Ai ka thënë se Vetëvendosja nuk e ka ftuar partinë e tij për të marrë pjesë në këtë protestë.

“Jo nuk mund të them një gjë të tillë, pasi çdo ftesë dhe kërkesë bashkëpunimi, organet e e partisë ulen dhe diskutojnë. Nuk mund të japim qëndrim për diçka që s’jemi ftuar”, tha fillimisht Molliqaj.

Deputeti i PSD-së, protestën e ish-partisë së tij e cilësoi si “aktivitet politik”.

“Diskutim formal nuk ka qenë në organet e partisë, pasi besojmë që është krejtësisht e drejt që partia në fjalë të organizojë aktivitet partiak kundërshtues, në kuadër të qëndrimeve të veta”, deklaroi Dardan Molliqaj.

Ndryshe të shtunën, më 29 shtator Lëvizja Vetëvendosje si e vetme do të protestojë për të kundërshtuar diskutimet e Thaçit për korrigjimin e kufijve. /Insaderi.com