“Marrëveshja është arritur që Gjykata e Apelit në Prishtinë të caktojë një panel të përbërë nga gjyqtarë kryesisht serbë në rastin e gjykimeve brenda komunave me shumicë serbe. Në këtë rast nuk u respektua”.
Kështu ka thënë për agjencinë e lajmeve serbe Tanjug, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, të mërkurën.
Ky qëndrim i tij erdhi pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin për deputetin e Listës Serbe Ivan Todosijeviqit.
Për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deputeti serb në Kosovë e “ka thënë të vërtetën”.
“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviq, është dënuar vetëm pse ka thënë të vërtetën – të vërtetën për gjithçka që ka ngjarë dhe për qytetarët e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.
Ivan Todosijeviqit pritet t’i merret mandati i deputetit.
Ndërsa, partia politike që ai i përket Lista Serbe, ka deklaruar të martën se “do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale”.
“Do të shkojmë të konsultohemi me presidentin Vuçiq”, kanë thënë ata. /Insajderi.com