Zëdhënësi i BE-së: Lajçak shpjegoi se çfarë ndodh kur negociohet një marrëveshje ndërkombëtare

Zëdhënësi i BE-së: Lajçak shpjegoi se çfarë ndodh kur negociohet një marrëveshje ndërkombëtare

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë sot se nuk ishte i sigurt se cila ishte arsyeja e kritikave ndaj të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe kush ishte burimi i tyre, njofton Insajderi.

Këto komente ai i bëri për portalin serb ‘Kosovo Online’, pas deklaratave të Lajçakut në Beograd, i cili tha se “Kushtetuta e Kosovës nuk është një Bibël” dhe se ajo mund të ndryshohet sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe reagimet që pasuan atë.

“Nuk jam i sigurt se cila është arsyeja e kritikës së pretenduar dhe kush është burimi i tyre, sepse Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Lajçak nuk tha që- kushtetuta nuk është një Bibël dhe mund të ndryshohet. Ai shpjegoi se çfarë ndodh kur negociohet një marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Stano.

“Kur arrini një marrëveshje ndërkombëtare. Rregullimet e nevojshme ligjore duhet të merren parasysh nga qeveria, duke përfshirë ato në nivelin kushtetues, në mënyrë që t’i integrojë ato në rendin e saj të brendshëm ligjor dhe konstituiv. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, tha tutje zëdhënësi i BE-së. /Insajderi.com