Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Joseph Borrell, i është përgjigjur nëntë shteteve anëtare të Bllokut, të cilat i kanë bërë thirrje atij të zhvillojë diskutime strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor kur ministrat e jashtëm të BE-së të takohen në prill.
Borrell është shprehur i gatshëm që të ketë diskutime të mëtejshme për Ballkanin Perëndimor, duke ndarë mendimin e njëjtë me Ministrat e Jashtëm të këtyre nëntë shteteve anëtare të Unionit Evropian.
Kështu thotë një zëdhënës i BE-së, për Gazetën Online Insajderi, derisa shton se Ballkani Perëndimor është një ndër prioritetet e BE-së.
“Ballkani Perëndimor është një prioritet për Bashkimin Evropian – BE është partneri kryesor politik, ekonomik dhe tregtar i këtij rajoni, e ardhmja e të cilit qëndron qartë në BE. Përfaqësuesi i Lartë ndan mendimin e shprehur në letrën e Ministrave të Jashtëm për këtë pike”, thotë ky zëdhënës në një përgjigje me shkrim.
“Përfaqësuesi i Lartë vazhdon angazhimin e tij të fortë me udhëheqjen politike të Ballkanit Perëndimor dhe është i gatshëm të ketë diskutime të mëtejshme me Shtetet Anëtare mbi rajonin”, thuhet tutje në përgjigjen e tij.
Nëntë shtete anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje kryediplomatit Josep Borrell, që të zhvillojë diskutime strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për perspektivën e tyre kur ministrat e jashtëm të BE-së të mbajnë takimin e tyre të radhës të parashikuar që të zhvillohet në prill, sipas një letre të siguruar nga “EURACTIV”.
“Besojmë se është koha e duhur t’i hidhet një vështrim strategjik Ballkanit Perëndimor”, thuhej në letrën e ministrave të jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
Ata thonë se “shumëçka ka ndryshuar” që nga diskutimi i fundit për zgjerim i gushtit të vitit 2019, veçanërisht pasi “ka pasur zhvillime të brendshme dinamike politike në vendet e rajonit”.
Procesi i zgjerimit u duk sikur po ecte mbarë gjatë pranverës së vitit të kaluar kur Maqedonia Veriore dhe Shqipëria morën dritën e gjelbër nga ministrat e BE-së për t’i nisur bisedimet gjatë atij viti.
Mirëpo, ky proces hasi në një bllokadë tjetër kur Bullgaria i vuri veto bisedimeve të Maqedonisë së Veriut në vjeshtë për shkak të dallimeve rreth historisë dhe gjuhës.
Vetoja bullgare afektoi edhe Shqipërinë pasi anëtarët e BE-së e shohin anëtarësimin e Shkupit dhe të Tiranës si “marrëveshje në pako”.
Ditë më parë, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka konstatuar se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut ende jo.
Këtë deklaratë Varhelyi e dha gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës, i cili u mbajt online.
Ai lavdëroi punën e kryer nga Shqipëria dhe vlerësoi se BE po bën të pamundurën për t’iu përmbajtur zotimeve të saja në lidhje me projektin e zgjerimit.
Mirëpo, nga Maqedonia e Veriut ai kërkoi më shumë punë, duke i vënë në dukje problemet me Bullgarinë për sa i përket disa pikave rreth historisë.
“Maqedonia e Veriut ka zhvilluar një ritëm të qëndrueshëm në zbatimin e reformave për në BE, në veçanti në sferën e të drejtave themelore. Është e rëndësishme që sa më shpejtë të gjenden zgjidhje të pranueshme për çështjet e pazgjidhura midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,” – ka thënë Varhelyi. /Insajderi.com