Zëdhënësi I KQZ-së: Po votojnë edhe personat e infektuar me Covid-19

Zëdhënësi I KQZ-së: Po votojnë edhe personat e infektuar me Covid-19

Procesi i votimit në zgjedhjet komunale në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut po vijon të zhvillohet pa ndonjë parregullsi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar në T7 se të drejtën për të votuar po e shfrytëzojnë edhe qytetarët që aktualisht janë të infektuar me COVID-19, njofton Insajderi.

Ai po ashtu ka treguar se rezultatet e vendvotimeve do të dihen qysh sonte.

“Rezultati i vendvotimeve dihet qysh sonte, sepse numërimi i fletëvotimeve, pas përfundimit të votimit, edhe sipas ligjit, bëhet në një vendvotim”, ka deklaruar Elezi.

Në ekipin prej katër anëtarësh që shkojnë te të infektuarit me COVID-19 për t’ua mundësuar të drejtën e votimit, Elezi ka treguar se po merr pjesë edhe një përfaqësues i institucioneve shëndetësore.

“Njëri është përfaqësues nga institucionet shëndetësore gjatë kohës kur vizitojnë këta persona të prekur me COVID-19. Nëse votuesi nuk ka pajisje mbrojtëse, t’u ofrohen”, ka thënë Elezi.

Paraprakisht, ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë problem as me materialin zgjedhor të nevojshëm.

“Prej kur ka filluar votimi deri në këto momente procesi zgjedhor po vijon normalisht, nuk ka ndonjë pengesë… Sa i përket edhe materialit zgjedhor që është i nevojshëm, nuk ka pas mungesë”, ka thënë në fund ai./Insajderi.com