Zëdhënësi i PDK-së: Kurti nuk duhet të vaksinohet i pari

Zëdhënësi i PDK-së: Kurti nuk duhet të vaksinohet i pari

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyci, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të vaksinohet i pari.

Zyra e kryeministrit ka deklaruar se Kurti do të vaksinohet të hënën në ora 16:30.

“Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë. E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë”, tha ndër tjerash Bytyci.

Kosova ka siguruar 24 mijë vaksina nga programi COVAX dhe është vendi i fundit në Evropë që siguron disa doza.

“Me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë”, shtoi ai.

Bytyci, përmendi faktin se shumë liderë nëpër botë kanë marrë të parët vaksinën për të dëshmuar se “është e sigurt”.

Por, përmendi edhe rastin e kancelares Angela Merkel, e cila është në procesin e pritjes për ta marrë vaksinën sipas grup-moshave. /Insajderi.com

 

Në shumë vende të botës, liderët politikë e kanë marrë të parët vaksinën për t’i dëshmuar shoqërisë se vaksina…

Posted by Avni Bytyçi on Monday, 29 March 2021