Ana Pisonero: Komisioni rregullisht siguron një përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme që lidhen me standardet, përmes raporteve të saj vjetore për Kosovën.
Një ndër çështjet që më së shumti po i mundon qytetarët e Kosovës padyshim që është liberalizimi i vizave, pavarësisht se ka vite që Bashkimi Evropian ka konstatuar se janë plotësuar kushtet.
Për lajmin e shumëpritur për kosovarët, duket se nuk po tregohen edhe aq entuziastë nga ana e Bashkimit Evropian, të cilët po vazhdojnë të mos japin datë të përafërt kur BE-ja mund të heqë vizat, për vendin e vetëm në Ballkan i cili nuk mund të lëvizë lirshëm në zonën Schengen.
Tash kur Gjermania është duke udhëhequr me Presidencën e Bashkimit Evropian, ende nuk dihet nëse Kosova dhe lëvizja e lirë e popullit të saj do të jetë prioritet i kësaj presidence.
Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me zyrën e Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, nëse ka një qëndrim sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se KE i qëndron pas vlerësimit që ka për Kosovën që nga korriku i vitit 2018, kur ka konstatuar se Kosova i plotëson standardet e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.
“Komisioni qëndron pas vlerësimit të tij që nga korriku 2018 se Kosova i plotëson standardet e liberalizimit të vizave”, ka thënë Pisonero derisa i është përgjigjur Insajderi-t.
Ajo tutje është shprehur se KE vazhdimisht siguron përmbledhje të performancës së Kosovës të cilat lidhen me standardet, nëpërmjet raportove të çdovjetshme për këtë shtet.
“Për më tepër, Komisioni rregullisht siguron një përmbledhje të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme që lidhen me standardet, përmes raporteve të saj vjetore për Kosovën, së fundmi në Raportin e Kosovës 2019 që shoqëron Komunikimin 2019 për Politikën e Zgjerimit të BE-së”, ka shtuar tutje Pisonero.
Komisioni ka miratuar katër raporte për përparimin e bërë nga Kosova në negocimin për vizat dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave të vizave për shtetasit e Kosovës më katër maj të vitit 2016.
E gjithë kjo ishte bazuar në të kuptuarit se deri në kohën kur propozimi miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, Kosova do të kishte ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte rekordin e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat edhe janë dy kriteret përfundimtare. /Insajderi.com