Zëdhënësja e kryeprokurorit në Bullgari, Siika Mileva, tha se është takuar me një nga të aksidentuarit që po trajtohet në spitalin “Pirogov” në Bullgari i cili ka treguar se si ka thyer xhamin e pasmë të autobusit që mori flakë në Sofje të martën, transmeton Insajderi.com.
Sipas saj, është “një mister i madh ku është një person tjetër”, pasi që në spital janë shtatë pacientë – katër burra dhe tri gra, e që duhet të jetë edhe një person, raporton Segabg.
Ndërkaq, zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafovm tha se deri më tash është raportuar për 45 të vdekur e shtatë të shpëtuar, gjë që nuk qëndron sepse janë vetëm 44 viktima.
“Janë gjetur 44 trupa të djegur. Të mbijetuar janë 8, kurse 7 prej tyre janë shtruar në spital për trajtim”, tha ai të enjten në konferencë për media, përcjell Alsat.
Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.
Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë dy vëllezër binjakë nga 4 vjeç.
Shumica e udhëtarëve ishin shqiptarë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.
Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria./Insajderi.com