Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, ka treguar se si e kishte paralajmëruar nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se do të arrestohet nga Specialja, njofton Insajderi.
“I kam thënë Nasim Haradinajt në një studio televizive që do të arrestohesh për arsye se jam nisur nga arrestimi im. Në vitin 2014 për shkak të një hulumtimi që e kisha bërë për një korrupsion brenda EULEX-it, kisha ardhur në fakte se kryeprokurori Salustro i kishte joshur dëshmitarët me para e azil, duke i thënë ‘sa para po i do për të dëshmuar rrejshëm’”.
“Në atë kohë unë u arrestova me 80 forca speciale me maska, të cilët më hynë në zyre. Për shkak të frikës që e kishte përjetuar, më kishte abortuar edhe gruaja ime kur kanë hyrë forcat speciale ashtu. Nuk ka pasur asnjë reagim nga Thaçi, Veseli, Limaj, Haradinaj, Mustafa, sepse në atë kohë u dukej që Gjykata Speciale është hajgare, kanë manipuluar me opinion dhe ja ku është rezultati”, ka thënë Zeka.
Ai mes tjerash deklaroi se është e dhimbshme të shihet se çfarë bëhet ndaj ish-ushtarëve të vërtetë të UÇK-së 20 vjet pas përfundimit të luftës.
“Është e dhimbshme që kjo ndodh 20 vite pas çlirimit, që shohim forca nëpër organizata të veteranëve, por krejt fajin e kësaj e ka klasa politike e shtetit të Kosovës që e kanë krijuar një shtet mish-mash, që e kanë shndërruar në pronë të tyre private dhe nuk ka njeri që i bie në fije se çfarë shteti është sot shteti i Kosovës”, është shprehur tutje ai. /Insajderi.com