Vizitën e ambasadorëve të Finlandës, Italisë dhe Suedisë në Radio Televizionin e Kosovës, gazetari Milaim Zeka, e ka quajtur si një veprim “pa tru” dhe “ndërhyre në politikën redaktoriale dhe skemën programore”.
Zeka, përmes një statusi në Facebook, i ka krahasuar tre diplomatët, Nicola Oralando, ambasadorin e Italisë, Pia Stjernvall ambasadoren e Finlandës, si dhe ambasadoren e Suedisë, Karin Hernmarck në Kosovë, me ish-ambasadorin amerikan, Christofer Dell.
“Ketë sëmundje dikur e ka pasur ambasadori amerikan, Christofer Dell, i cili ndërhynte 24 orë se çfarë të transmetohej, besa edhe të shkruhej, në mediat e Kosovës”, ka shkruar Zeka.
Zeka i cili ka jetuar dhe vepruar një kohë të gjatë në Suedi, ka bërë të ditur se ka dërguar kërkese në Parlamentin e Suedisë për “ndërhyrjen” e ambasadores Hernmarck, në RTK.
“Pas informatave se edhe ambasadoreje e Suedisë në Kosove ka bërë një veprim të tillë skandaloz, sot kam qenë në kontakt me deputete të Parlamentit të Suedisë, në mënyre që kjo çështje të ngritët në parlament, po edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme , si dhe pranë zyrës të Kryeministrit te Suedisë”, ka shkruar Zeka.