Zemaj deklarohet pas lajmit për arritjen e vaksinave të para anti-COVID në Kosovë

Zemaj deklarohet pas lajmit për arritjen e vaksinave të para anti-COVID në Kosovë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se sot po arrijnë 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca nga COVAX në Kosovë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se përpjekjet shtetërore asnjëherë nuk janë ndalur për të arritur deri te ky qëllim i cili tashmë po realizohet.

“Tash po arrihet qëllimi për të cilin kemi punuar me përkushtim me muaj të tërë, në shumë adresa, me shumë përkrahës bashkë me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë”, ka shkruar ai.

“Siç edhe e kemi potencuar, për Republikën ë Kosovë, ky rrugëtim ka qenë shumë i vështirë pasi që nuk jemi as pjesë e OBSH-së as e Bashkimit Evropian. Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna janë drejtimi tjetër në të cilin jemi angazhuar si shtet, për sigurimin e vaksinave, por gjithashtu kontaktet të vazhdueshme kemi pasur edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin por edhe me shtetet e Bashkimit Evropian, më ngushtë me Austrinë, nga të cilat pritet përgjigje e shpejtë”.

“Falënderoj qytetarët për durimin që kanë pasur deri më tani, Komisioni për negocimin e furnizimit me vaksina kundër Covid-19, Grupi punues për definimin e nevojave për vaksinën kundër Covid-19 si: Dr. Edita Haxhiu, Dr. Arsim Çavdërbasha, Prof. Dr. Isme Humolli, Prof. Naser Ramadani, Prof. Dr. Lul Raka, Prof. Ariana Kalaveshi, Dr. Diellor Riza, Dr. Valdet Hashani, znj. Dafina Muçaj, z. Ardian Mehmeti, z. Mentor Sadiku, Dr. Bujar Gashi, znj. Bjondina Rexhepi, znj. Afërdita Hoxha dhe kabinetin tim të palodhshëm”, ka shkruar Zemaj. /Insajderi.com