Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është takuar sot me bordin këshilldhënës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe me Lul Rakën.
Në këtë takim është diskutuar edhe për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, për çka Zemaj thotë se vendimet që do të merren, do të jenë të bazuara në këshillat e profesionistëve.
“Në takimin me anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Luftën Kundër Covid19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues, analizuam gjendjen e krijuar nga pandemia, u prezantuan faktet shkencore, opinionet dhe propozimet se si të reagohet në javët në vijim për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e virusit. Sikurse biseduam për realizimin e këshillave të dhëna nga ky bord. Jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, andaj të gjitha vendimet tona do të jenë të bazuara sipas këshillave të profesionistëve”, ka shkruar Zemaj në profilin e tij Facebook.
I pari i shëndetësisë në vend ka treguar edhe se në këtë takim është folur rreth sfidave me të cilat po përballen, shtrirjen e COVID-19 nëpër komuna, numrin e të infektuarve, mbingarkesat spitalore dhe të personelit shëndetësor, infeksionet brenda spitalore dhe brenda koorporatave e agjensionëve të ndryshme, presionet nga sektori i ekonomisë, etj.
Bordi këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19, ka ofruar rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid-19. /Insajderi.com