Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se në këtë kohë pandemie e kanë pasur shumë të vështirë për të gjetur shtete të cilat do të ndihmonin në trajtimin e të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, njofton Insajderi.
Zemaj ka falënderuar shtetin e Austrisë, që ka pranuar të marrë në trajtim dy pacientë të lënduar nga ky shpërthim.
“Situata në të cilën ndodhet tërë bota, shkaku i pandemisë, është tepër e rëndë. Shtretërit e lirë dhe emergjencat tjera, janë të stërngarkuara nga pacientët, në tërë botën. Ishte shumë e vështirë të gjenden shtete që do të mund të hapnin dyert dhe të merrnin për trajtim dy pacientët tanë.
I falënderoj të gjitha familjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Përkushtimi ynë për çdo pacientë do të vazhdojë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Ndryshe, nga shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj janë lënduar 44 persona, si dhe janë shkaktuar dëme të shumta materiale./Insajderi.com