Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se izolimi dhe karantina, janë më shumë sistem totalitar për të dhe se ai preferon mënyra të tjera të kontrollimit të gjendjes së shkaktuar nga Covid 19.
“Nuk janë në logjikën time izolimi dhe karantina – janë një sistem tjetër totalitar – logjikë e imja është hapja e kontrolluar dhe ballafaqimi me situatën”, tha Zemaj në Kanal10, transmeton Insajderi.
Ai gjithashtu tha se dallon nga ministri paraprak dhe madje lëshoi kritika, duke thënë se ata nuk i kanë përfillur kërkesat e të izoluarve, duke iu referuar rastit të Agon Musliut, që bëri vetëvrasje në konviktet e Prishtinës, në kohën sa ai po mbahej i izoluar.
Zemaj, gjithashtu ka kërkuar që të hiqen nga fjalori fjalët “izolim” dhe “Karantinë”, duke dhënë sinjale të qarta se ai nuk do të propozojë asnjëherë ndonjërën nga këto masa./Insajderi.com.