Zemaj kërkon respektim të masave kundër COVID-19 pasi vetë i shkeli ato

Zemaj kërkon respektim të masave kundër COVID-19 pasi vetë i shkeli ato

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat e miratuara nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së Coronavirusit. Kjo thirrje e tij vjen tri ditë pasi u kritikua për një tubim zgjedhor të mbajtur në Deçan, ku aktivistët nuk kishin as maska e as distance, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka ftuar qytetarët që ta ruajnë shëndetin e njëri-tjetrit, pasi thotë se ngarkesat në spitale janë rrezik i shtuar.

“Kërkoj nga secili që ta ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit dhe shëndetin publik, sepse, ngarkesat në spitale janë rrezik i shtuar edhe për profesionistët për të ofruar përkujdesje, edhe për pacientët dhe familjet të cilat presin përkujdesje cilësore shëndetësore.

Ju bëj ftesë të gjithë qytetarëve t’i zbatojnë rekomandimet për luftimin e Covid 19. Bashkë ia dalim! Barte maskën! Ruaje distancën! Mbaje higjienën!” ka shkruar ai.

Pavarësisht thirrjeve për respektim të masave, partitë politike po vazhdojnë të mbajnë tubime elektorale.

Pikërisht për këto tubime, Inspeksioni në Prishtinë ditë më parë ka gjobitur subjektet politike.

Deri tani janë dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës (dy herë), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Gjobat janë shqiptuar nga dy mijë euro./Insajderi.com