Zemaj: Klinika Infektive ka bërë dhënien e plazmës konvalescente tek pacienti i parë

Zemaj: Klinika Infektive ka bërë dhënien e plazmës konvalescente tek pacienti i parë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se tashmë në Klinikën Infektive është bërë trajtimi i parë me plazmën konvalescente, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zemaj ka theksuar se sot në orët e pasdites këtij trajtimi i janë nënshtruar edhe dy pacientë të tjerë.

“Klinika Infektive tashmë ka bërë edhe dhënien e plazmës konvalescente tek pacienti i parë. Gjatë dhënies, mjekët thonë se pacientët nuk kanë pasur efekte anësore dhe plazma është përballuar mirë. Në orët e pasdites trajtimit u janë nënshtruar edhe dy pacientë të tjerë, pranë Klinikës Infektive”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Kosova është bërë shembull për rajonin.

“Plazma konvalescente si terapi mbështetëse, do të ndihmojë të gjithë ata pacientë që kanë nevojë për një trajtim të tillë dhe do të zbatohet sipas udhëzuesit të nënshkruar ditë më parë. Ky është tregues i suksesit të profesionistëve dhe shëndetësisë tonë. Jemi bërë shembull për rajonin. Ju faleminderit ekspert dhe ju mantelbardhë”, tha Zemaj./Insajderi.com