Zemaj: Kurti më i interesuar të ligjërojë për Aristotelin në Greqi sesa për gjendjen në Deçan

Zemaj: Kurti më i interesuar të ligjërojë për Aristotelin në Greqi sesa për gjendjen në Deçan

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin në vizitë zyrtare në Greqi, derisa në Deçan, qindra qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga helmimi që dyshohet se ka ardhur nga uji i pijes, njofton Insajderi.

Zemaj thotë se papërgjegjësia është dëshmi e paaftësisë së kësaj qeverie, duke shtuar se kryeministri Kurti “është më i interesuar të ligjerojë për Aristotelin dhe Platonin sesa të interesohet për qytetarët e vendit të tij”.

“Situata në Deçan është e rëndë, por edhe më të rëndë e ka bërë neglizhenca e kësaj qeverie apo dyftyrësia në qasjen që kanë ndaj qytetarit në raport me gjendjen shëndetësore. Nga fundjava deri sot numri i madh i qytetarëve janë paraqitur për ndihmë mjekësore. Shifra ka kaluar mbi 1500. Në momentin kur Qeveria u zgjua nga reagimi qytetar, mbi të gjitha ndoshta nga interesi se diku ekziston një komunë diku në Kosovë. Kryeministri, sigurisht, më shumë ishte i interesuar të ligjërojë për Aristotelin dhe Platonin dhe një ministër tjetër burokrat pas katër dite gjeti kohë për të vizituar këtë komunë dhe të shohë se si trajtohet një situatë emergjente”, ka thënë Zemaj në seancën e sotme të rregullt plenare.

Ai po ashtu foli edhe në emër të LDK-së për viktimat nga vërshimet në Gjermani, duke thënë se edhe këtu Qeveria po tregohet neglizhente për qytetarët e Kosovës që potencialisht mund të jenë përballë me katastrofën natyrore atje. /Insajderi.com