Zemaj: Ky vit shkollor, më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia

Zemaj: Ky vit shkollor, më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, njofton Insajderi.

Sipas Zemajt, ky vit shkollor do të jetë më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, për çka thotë se duhet angazhim më i madh, si dhe respektim i masave mbrojtëse ndaj këtij virusi.

“Dita e parë e shkollës është moment që reflekton rolin madhor që ka edukimi në shoqëri ndërsa rikthimi në bankat shkollore është i rëndësishëm dhe interes jetësor i të gjithëve. Urime për të gjithë nxënësit! Paçin një fillim të mbarë, shëndet, suksese, më shumë dije dhe rezultate pozitive! Mëngjesin e sotëm gjatë vizitës që i bëra shkollës “Iliria” në Prishtinë pashë se në këto kushte pandemie, gjithnjë sipas udhëzimeve, janë bërë të gjitha përgatitjet, dezinfektimi i hapësirave shkollore, shenjëzimet paralajmëruese, në klasa është bërë reduktimi i numrit të nxënësve për të ruajtur distancën fizike, nxënësit bartnin maska si dhe në hapësira të caktuara ishin vendosur dezinfektues”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka shtuar edhe se MSH bashkë me gjitha akterët e tjerë janë të përkushtuar që ta menaxhojnë situatën e krijuar nga COVID-19.

“Edhe njëherë dua të konfirmoj nga këtu që Ministria e Shëndetësisë, bashkë edhe me të gjithë akterët e tjerë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në këtë proces, jemi maksimalisht të përkushtuar që ta menaxhojmë sa më mirë situatën. Natyrshëm që ky vit shkollor është më i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia andaj edhe duhet që të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masava parandaluese të virusit. Suksese të gjithëve! Vendosni maskën! Kujdesuni për higjienën! Ruajeni distancën!”, përfundon shkrimi i Zemajt. /Insajderi.com