Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit, procesi mund të mos përfundojë deri në tri vite.
Ai ka pohuar se afati kur qytetarët duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës është 8 qershori, “ndërsa ende nuk ka konfirmim nëse në Kosovë do të arrijnë dozat e dyta të kësaj vaksine”, përcjell Insajderi.
“Kjo Qeveri mori vota, e mori pushtetin, ndaj duhet kujtuar që koha e dozave të dyta të vaksinave nuk kanë ardhur, ndërsa qytetarët po presin”, ka thënë Zemaj.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për numrin e ulët të testimeve.
“Nëse vazhdon kështu atëherë gjendja pandemike do zgjasë gjatë. Qytetarët po vdesin. Po bëhen pak teste, normalisht që ka pak raste, sepse po i detyrojnë bashkatdhetarët tanë që të shkojnë nëpër klinika private për testim”, është shprehur ish-ministri i Shëndetësisë.
Ai tutje ka shtuar se anulimi i konkursit për personel të ri shëndetësor është bërë nga e ashtuquajtura “Qeveri e papërgjegjshme e cila nuk e ka në konsideratë gjenden pandemike”./Insajderi.com