Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se nëse vazhdon rritja e të infektuarve me Coronavirus, do të ketë kufizim të lëvizjes dhe masa më rigoroze, njofton Insajderi.
Zemaj në mbledhjen e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19 të mbajtur të enjten, ka thënë se në javën e fundit numri i infeksioneve është rritur për 26 për qind.
Ai ka shtuar se sigurimi i vaksinës është mënyra e vetme për parandalimin e pandemisë, por është shprehur se Kosova do të pranojë vetëm vaksinën e miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e jo nga Rusia e Serbia.
“Në situatën që ndodhemi është e domosdoshme që të respektohen nga të gjithë distanca fizike, ajrosja e lokaleve. Humbja për neve nuk është opsion dhe nuk do të ndalemi asnjëherë. Parandalimi deri më tani pati sukses, duhet të vazhdojmë me disiplinën dhe me rëndësi është që të gjithë së bashku policia përfaqësues ta bëjnë punën sipas detyrimeve ligjore, duhet të vazhdojmë me këtë disiplinën deri në pritjen e vaksinës”, ka pohuar Zemaj./Insajderi.com