Ish-ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Hoti, Armend Zemaj, ka reaguar pas dorëheqjes së Arben Vitisë nga detyra e ministrit, njofton Insajderi.com.
Zemaj e ka quajtur pasardhësin e tij në këtë pozitë “ministër i dështuar i qeverisë më populliste”.
Sipas tashmë deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vitia ka lëshuar këtë detyrë për të synuar një detyrë të re, “duke lënë të nënkuptohet se ishte bërë ministër me qëllim që nesër të synojë postin e të parit të komunës”.
Zemaj thotë se Vitia do të duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme apo të shkarkohej si rezultat i mungesës së menaxhimit të pandemisë.
“Në të vërtetë, fillimisht ai duhej të shkarkohej apo të jepte dorëheqje të parevokueshme si rezultat i mungesës së menaxhimit të pandemisë, ku për pasojë i theu të gjitha rekordet e zeza në botë për vdekshmëri dhe numër të të infektuarve me COVID-19”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
“Pra, papërgjegjësinë e dëshmoi. Paaftësinë e vulosi. Rekordet e zeza që vet i arriti, po dhe vet i theu. Dështimit nuk mund t’i ikë”, përfundoi ai.
Ministri i deritanishëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nëpërmjet një konference për media.
Ai lirimin nga detyra e ministrit e njoftoi para shtypit, dorëheqje kjo që vjen për të filluar fushatën si kandidat për kryetar të Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Më lejoni në fund të ju njoftoj edhe me një vendim që kam marrë në bashkërendim me Ministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Unë sot po e përmbyll këtë detyrë me të cilën më ka ngarkuar kryeministri Kurti që do t’i jem mirënjohës jo vetëm për besimin por edhe për mbështetjen”, ka thënë ai. /Insajderi.com