Zemaj: Po angazhohemi që sa më parë të plotësohen kushtet për t’i bërë realitet sigurimet shëndetësore

Zemaj: Po angazhohemi që sa më parë të plotësohen kushtet për t’i bërë realitet sigurimet shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është deklaruar rreth sigurimeve shëndetësore, për çka thotë se do të bëhen shumë shpejt.

Zemaj është shprehur se janë të përkushtuar dhe se po angazhohen që sa më parë të plotësohen të gjitha parakushtet, në mënyrë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të jetë në funksion të plotë dhe t’u ofrohen qytetarëve sigurime shëndetësore dhe mburojë financiare.

“Do të bëjmë realitet sigurimet shëndetësore. Jemi të përkushtuar maksimalisht dhe po angazhohem që sa më parë të plotësohen të gjitha parakushtet, në mënyrë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të jetë në funksion të plotë dhe t’u ofrohet qytetarëve sigurime shëndetësore dhe mburojë financiare”, është shprehur Zemaj.

I pari i shëndetësisë në vend ka folur edhe për miratimin e emërimit të Bordit Drejtues të Sigurimeve Shëndetësore.

“Bazuar në propozimin tim, sot Qeveria e Republikës së Kosovës e miratoi emërimin Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës i fondit në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor. Po ashtu grupi punues ka filluar punën për hartimin e ligjit për sigurimet shëndetësore. Do të insistoj që të punohet pa humbur kohë dhe me një dinamikë të shpejt për draftimin e tij”, ka shkruar Zemaj në profilin e tij në Facebook.

Tutje ministri i Shëndetësisë ka thënë se “Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion i pavarur publik me përgjegjësi dhe autorizime të veçanta që, në emër të të siguruarve, të administrojë me mjetet financiare për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në të gjitha format e pronësisë”. /Insajderi.com