Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë të përkushtuar dhe po angazhohen që sa më parë të kompletohet kuadri ligjor e që më pas të funksionalizohen ligjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe qytetarëve t’iu ofrohen shërbime më cilësore shëndetësore.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj, ka treguar se në takimin që pati paraditen e së mërkurës më zyrtarët përgjegjës për hartimin e legjislacionit që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë është biseduar për kompletimin e kuadrit ligjor dhe rreth dinamikës për përgatitjen dhe hartimin e Ligjit për Sigurimet shëndetësore, njofton Insajderi.
“Me zyrtarët përgjegjës për hartimin e legjislacionit në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë biseduam për kompletimin e kuadrit ligjor, si dhe rreth dinamikës për përgatitjen dhe hartimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore dhe plotësimin me aktet nënligjore të ligjeve përkatëse. Jemi të përkushtuar dhe po angazhohemi që sa më parë të kompletohet kuadri ligjor, të funksionalizohen ligjet që kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe qytetarëve t’u ofrohen shërbime më cilësore shëndetësore”, ka shkruar Zemaj. /Insajderi.com