Zemaj: Qeveria ka qasje ndaj pandemisë sikur virusi të mos ekzistonte

Zemaj: Qeveria ka qasje ndaj pandemisë sikur virusi të mos ekzistonte

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të enjten se Qeveria ka qasje ndaj pandemisë “sikur virusi të mos ekzistonte”.

Në Debat Plus, Zemaj drejtoi kritika të shumta në drejtim të Arben Vitisë, duke thënë se ai “ka treguar papërgjegjësi”.

“Është paralajmëruar qysh herët se varianti ‘Delta’ po shpërndahet shumë shpejt. Qeveria përkundër paralajmërimeve ka pasur një qasje ndaj pandemisë thuajse virusi nuk ekziston fare”.

Fati i mirë i yni ka qenë që koha ka mbajtur mirë me diell dhe shumë qytetarë kanë qëndruar në ambiente të hapura, përndryshe do të kishim një katastrofë humanitare në këto dy javë për shkak të shpërndarjes së virusit”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Përmes një komunikate përmenden disa nga masat që priten të merren ditëve në vijim, përfshirë kufizim të lëvizjes.

Të enjten u regjistruan edhe 18 vdekje si pasojë e COVID-19 dhe 2 mijë 295 infeksione.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 16.862 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 747.898 doza të vaksinës. Deri më sot 256.235 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. /Insajderi.com