Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë duke u angazhuar që t’i rrisin kapacitetet testuese në vend dhe të ofrojnë deri në tre mijë e 500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur derisa ka raportuar para anëtaëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë në vend.
Derisa tha se situata epidemiologjike është e menaxhueshme, Zemaj theksoi se janë në fazën përfundimtare të zgjerimit të kapaciteteve testuese edhe në qendrat regjionale të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.
“Në këtë javë kemi nisur edhe angazhimin e 350 profesionistëve shëndetësor që do të japin imput të drejtpërdrejtë në menaxhimin e situatës dhe pandemisë COVID-19, duke marr parasysh edhe tendencën tonë që në javët në fillim ose në javën tjetër zgjerohemi edhe me kapacitet testuese. MSH qeveria e Kosovës sipas planit të veprimit më ka angazhuar që të bëjmë zgjerimin e kapaciteteve në gjashtë qendrat rajonale të IKSHP-së dhe të mbështetjes me testime. Jemi në fazën përfundimtare ku do sigurojmë 7 aparatura për laboratorët, 1 do jetë në IKSHP dhe gjashtë në të gjitha qendrat rajonal të IKSHP-së duke siguruar më shumë se 100 mijë teste në këtë fazë për t’iu ofruar qytetarëve tanë. Po ashtu e kemi të siguruar një donacion nga OBSH, ku javën tjetër pritet ardhja e tri aparaturave të cilat dy do të vendosen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marr parasysh që Prishtina është më e ngarkuar edhe nga popullsia dhe një ku jetojnë komunitetet pakicë në Kosovë“, tha ai.
I pari i Shëndetësisë në Kosovë u zotua se me zgjerim të kapaciteteve testuese do të mund të ofrojnë edhe 3 mijë deri në 3mijë e 500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.
Lidhur me licencimin e institucioneve private për kryerjen e testimeve serologjike dhe PCR, për çka u interesua të di më shumë anëtari I këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, ministri Zemaj tha se ata laboratorë janë licencuar në bazë të kritereve të udhëzimit administrative dhe se nga qeveria ka kërkuar që të subvencionohet 18 deri 20 për qind e çmimit të marrjes së këtyre shërbimeve.
“Kam propozuar tek Qeveria e Kosovës edhe subvencionimin sidomos të qytetarëve duke në pjesën prej 18 deri 20 për qind që të paguhet ajo pjesa e TVSH-së të kontribuoj qeveria e Kosovës si masë lehtësuese e marrjes së këtij shërbimi. Por më lejoni të theksoj se nëse brenda një kohë të shkurt arrijnë institucionet tona publike dhe ofrojnë laboratorët publik në 6 qendrat rajonale ose duke i dy-trefishuar kapacitet tona në IKSHP dhe në Klinikën Infektive atëherë si shërbime nga institucionet tona publike ne do arrijmë maksimumin në plotësimin e të gjitha nevojat për testime sigurisht që në planifikimet tona është që të arrijmë që brenda ditës t’I kemi 3 mijë apo 3500 testime edhe më shumë“, tha ai. /Insajderi.com