Zemaj viziton Luginën e Preshevës, thotë se MSH insiston që kujdesi për qytetarët e kësaj zone të jetë i vazhdueshëm 

Zemaj viziton Luginën e Preshevës, thotë se MSH insiston që kujdesi për qytetarët e kësaj zone të jetë i vazhdueshëm 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Bujanocin, për të parë nga afër gjendjen në Luginë dhe të informohet rreth menaxhimit të situatës me COVID-19, njofton Insajderi.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë insiston për kujdes ndaj qytetarëve të jetë i vazhdueshëm dhe se duhet të ketë një situatë të qartë e cila e vë në kontroll pandeminë.

“Sot gjendem në një vizitë një ditore në Luginën e Preshevës, ta shohë për së afërmi situatën epidemiologjike dhe me çfarë përballen banorët e kësaj ane. Është vlerësim i Qeverisë së Kosovës që kujdesi për shëndetin duhet t’i përfshijë të gjithë shqiptarët kudo që janë, edhe vendet e rajonit, ta kemi një situatë të qartë ta vemi në kontrollë pandeminë dhe insistimi jonë është që kujdesi për qytetarët të jetë i vazhdueshëm”, tha Zemaj.

Në konferencëne mbajtur për media atje, Zemaj ritheksoi se shqiptarët e kësaj ane duhet të ndihen të sigurt edhe kur shërbimet shëndetësore iu ofrohen nga qeveria e Beogradit.

“Ne bashkëbiseduam me kryetarin e këshillit kombëtar dhe bashkëpunëtoret e mi dhe këto biseda do të konkretizohen edhe me veprime konkrete që shqiptaret e kësaj ane të ndihen sigurt kur u ofrohen shërbimet edhe nga qeveria e Beogradit, andaj ky është qëllimi edhe i vizitës sonë”, tha Zemaj.

Ai ka theksuar se këto vlerësime dhe këto sugjerime do t’i ndaj edhe me kryetarët e komunave dhe të shihet nga afër si po menaxhohet situata pandemike edhe në këtë pjesë.

“Unë veç kam filluar të shoh edhe bashkëpunimin rajonal, kam pasur edhe kontakte direkte, ajo çfarë është theksuar nga qeveria e Beogradit është që është rrit dimensioni i kujdesit shëndetësor dhe jo vetëm në vlerësimin e situatës por edhe ofrimin e shërbimeve. Në këtë aspekt do të këmbënguli që këto shërbime të ofrohen edhe për qytetarët e kësaj ane”, tha Zemaj. /Insajderi.com/