Kosova është shndërruar në një nga temat më të diskutuara të politikanëve ndërkombëtarë në Twitter. Amerikanët e evropianët po 'shtyhen' se kush ia do më shumë të mirën Kosovës.
Komuniteti ndërkombëtar ka zhvilluar luftë humanitare në vitin 1999 dhe shkak ishte Kosova.
Një tjetër lloj “lufte”, një luftë cicërimash, është zhvilluar edhe dje, por tash ndërmjet vetë ndërkombëtarëve dhe arena ka qenë platforma e një media sociale.
Fillimisht ka reaguar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në Twitter, duke e komentuar një deklaratë të emisarit amerikan, Richard Grenell, i cili në intervistë në Fox News tha se Amerika asnjëherë nuk ka pasur plan për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës e Serbisë, por ky ka qenë plan individual i një këshilltari të padëgjueshëm të Donald Trump-it.
Sipas Grenell, John Bolton, ishte ai që e kishte politikë të tijën ndryshimin e kufijve Kosovë – Serbi, prandaj tash Grenellit, sa herë po bisedon me liderët në Ballkan, po i duhet të ri-sqarojë gjithçka.
Mirëpo eurodeputetes, shpjegimet e diplomatit amerikan iu kanë dukur dokrra.
Madje ajo me cinizëm ka reaguar në Twitter ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur “tregime”, njofton Insajderi.
“Natyrisht se tash është krejt faj i John Bolton që njerëzit po flasin për shkëmbim territoresh. Tani, i shkreti, Richard Grenell, duhet t’i luftojë këto thashetheme. Po lëreni”, ka shkruar në Twitter Von Cramon.
“Mbushu mend dhe mjaft u tregove njerëzve tregime të tilla”, ka vazhduar ajo.
“Fillo e bëhu serioz rreth politikës së jashtme. Është koha”.
Më vonë, në një tjetër twitt, Von Cramon ka shkruar përsëri duke ia kthyer një komentuesi, i cili i kishte thënë prapë më mirë Grenell që po ndërmerr diçka, sesa politika ineret e Bashkimit Evropian.
“A kishte rezultate nga ‘marrëveshjet‘ e tij të fundit – marrëveshjet për lufthansa, hekurudhat, aviacioni? S’gjeta gjë”, ka pyetur politikanja gjermane në Twitter, duke u vetë-përgjigjur më pas.
Nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar Grenell. Gjithashtu në Twitter.
Ai i ka thënë Von Cramon se në stilin e saj është vetëm të ankohet për të tjerët.
Por, i ka sugjeruar se duhet të ndryshojë qasje e të merret me punët që i ka, duka ia përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, që tash e sa vjet nuk po ndodhë.
“Në vend se të kritikosh çdo gjë që bën Administrata e Trump-it që të ndihmojë normalizimin e ekonomive të Kosovës dhe Serbisë, përse nuk koncentrohesh në të vetmen gjë që do të duhej të ishe duke e bërë; vizat për Kosovën. Ke mbetur duke u ankuar për të tjerët për 20 vjet. Kryej punët tua”, ka replikuar amerikani.
Politikanët ndërkombëtarë zyrtarisht gjithmonë e thonë se nuk ka dualitet në qasjen e tyre për Kosovën, por replika të tilla tregojnë se ka dallime në atë se si e shohin ecjen përpara miqtë këtej dhe andej oqeanit atlantik.
Temat për Kosovën dhe Kosova janë shndërruar këto ditët e fundit në “qendrën e Twitter-it”, siç dikur, për arsye të tjera, ishte në qendër të mediave ndërkombëtare./Insajderi.com