njëri nga zyrt" />

Zenun Pajaziti flet për hetimet e Prokurorisë Speciale ndaj tij

Zenun Pajaziti flet për hetimet e Prokurorisë Speciale ndaj tij

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, njëri nga zyrtarët e kësaj partie ndaj të cilëve Prokuroria e Shtetit ka filluar hetime për rastin e përgjimeve, i ka thënë Insajderit se deri më tani nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar për hetime.

Ai ka thënë se nuk ka qenë i thirrur asnjëherë nga drejtësia, “as si dëshmitar.”

Zenun Pajaziti, që u emërua si shef i GP të PDK-së pas dorëheqjes së Grabovcit, dyshohet për përfshirje në caktimin e njerëzve të afërm me subjektin e tij në borde të ndërmarrjeve publike e shtetërore të Kosovës.

Prokuroria Speciale njoftoi të martën se përveç Pajazitit, nën hetime janë edhe zyrtarë të tjerë të PDK-së, përfshirë edhe ish-ministrin Besim Beqaj, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi; sekretarin e PDK-së në Prizren, Njazi Kryeziu; ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj; ish-këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Sedat Gashin dhe ish-shefen e Divizionit Farmaceotik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Tetë zyrtarët e lartë të PDK-së dyshohen për shpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.  Secila prej këtyre dy veprave sanksionohen me dënim me burgim deri në pesë vjet.

I pyetur nga Insajderi nëse edhe ai do të ndjek shembullin e Grabovcit dhe të jap dorëheqje, Pajaziti ka refuzuar të jap ndonjë përgjigje konkrete, me arsyetimin se ende nuk ka marrë njoftim zyrtar për rastin.

Hetimet ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve kanë nisur pas publikimit të Dosjes së Shefave nga Insajderi – një seri përgjimesh telefonike përmes së cilave dëshmohet se si PDK-ja shtrinë ndikimin e saj në insttiucioent e pavarura shtetërore./Insajderi.com