Zëvendëskryeministri Hoti kërkesë opozitës: Na jepni 100 ditë, pastaj na vlerësoni

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po i quan të ngutshme kritikat e partive opozitare për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, shkruan Insajderi.

Numri dy i ekzekutivit, i ka kërkuar opozitës që t’ua japin 100 ditë pune, e pastaj ta vlerësojnë punën e tyre.

“Është e natyrshme që të pritet të kalojnë 100 ditët e para të Qeverisë së re para se opozita të bëjë vlerësimet për punën e Qeverisë. Ne kemi nisur qeverisje me një program të qartë për masat që do të marrim nëpër fusha të caktuara. Një ekstrakt i programit është shpërndarë për deputetë në seancën ku u votua Qeveria e re. Së shpejti do të miratojmë Programin Qeverisës 2020-2023, i cili dokument do të bëhet publik për të gjithë, përfshirë edhe opozitën”, ka thënë Hoti, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Hoti ka premtuar se do të jenë përballë opozitës në çdo seancë të Kuvendit për tu përgjigjur në interesimet e tyre dhe për të debatuar me ta për punën e Qeverisë.

“Nuk do të përsëriten seancat ku asnjë anëtar i qeverisë nuk merr pjesë në seanca përballë opozitës. Unë e ftoj opozitën të jetë e zëshme, kritikuese, por edhe konstruktive në proceset e rëndësisë nacionale që na presin përpara, siç kemi bërë ne gjatë kohës sa kemi qenë në opozitë”, u shpreh ai.

Mirëpo, ai ka ftuar partitë opozitare që t’i përdorë metodat demokratike e kushtetuese për të bërë opozitë.

“E ftoj opozitën të përdorë të gjitha metodat demokratike dhe kushtetuese të të bërit opozitë. E ftoj të përdorë vetëm këto mjete, sepse çdo veprim tjetër opozitar që është jo kushtetues dhe jo demokratik i të bërit opozitë e dëmton Kosovën, institucionet e saj, miqësitë me partnerët tanë strategjik dhe jep pasqyrë të keqe për qytetarët”, shtoi ai. /Insajderi.com