Zëvendësministri i Kosovës i jep lajm të madh Shqipërisë: Premton investime nga Kroacia në Mirditë

Zëvendësministri i Kosovës i jep lajm të madh Shqipërisë: Premton investime nga Kroacia në Mirditë

Është gati i panjohur në diplomacinë kosovare dhe asnjëherë nuk është përmendur të ketë sjellë ndonjë të mirë për ndërkombëtarizimin e shtetit të tij, por Emanuel Demaj, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka bërë një vizitë në një shtet tjetër, Shqipëri.

Si numri dy i diplomacisë kosovare ka vizituar Bashkinë e Mirditës duke i dhënë një “lajm  të madh” për Shqipërinë.

Sipas komunikatës së Bashkisë së Mirditës, zëvendësi i Enver Hoxhajt, është pritur nga zëvëndësi i kryetarit të Bashkisë, Julian Përgega.

Madje Bashkia e Mirditës i referohet Demajt si “titullarë i lartë” i Qeverisë së Kosovës.

dyshe

E “titullari i lartë i Qeverisë së Kosovës”, vizitën e tij në Bashkinë e Mirditës nuk e ka përfunduar pa ia dhënë edhe një lajm të rëndësishëm sipas komunikatës së Bashkisë: ka premtuar investime nga Kroacia.

“Ai bëri me dije se një grup biznesmenësh nga Kroacia kanë shprehur dëshirën të vizitojnë Mirditën, ku së shpejti pritet të vijnë të shoqëruar nga deputetja e parlamentit të Kroacisë znj. Ermina Leka, me origjinë nga Mirdita”, thuhet në komunikatën e Bashkisë së Mirditës.

Më tej në këtë komunikatë thuhet se “titullari i lartë i Qeverisë së Kosovës u shpreh me nota vlerësuese për atë çfarë kishte konstatuar gjatë vizitës në Rrëshen, njëherit bëri një panoramë të shkurtër të situatës politike në Kosovë si edhe aktivitetin që zhvillon Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës”.

“Në fund z. Emanuel Demaj ka falënderuar për pritjen në Mirditë dhe ka uruar suksese të mëtejshme”, thuhet në komunikatën e Bashkisë së Mirditës për vizitën e zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës./Insajderi.com