Deklarimi i Lëvizjes Vetëvendosje, se grafitin “Ku është Ukshin Hoti” që ishte shkruar në murin e ndërtesës së Ministrisë së Kulturës e ka fshirë vetë kjo ministri, nuk është komentuar nga zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, kushëri i veprimtarit të zhdukur.
I kontaktuar nga Insajderi, Rexhep Hoti, nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e VV-së se “grafitet e shkruara në këtë ndërtesë janë fshirë me urdhra të kësaj Ministrie, pasi që për mirëmbajtjen (lyerjen) e ndërtesës përkujdeset dhe e bënë vetë Ministria”.
“Nuk dua të lëshohem në këto deklarata, drejtohuni tek Zyra për Informim e Ministrisë”, ka thënë Hoti.
Çështja e grafitit “Ku është Ukshin Hoti” u bë publike pikërisht nga djali i tij, Andin Hoti, i cili akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se fshiu grafitin për babanë e tij për ta zëvendësuar me atë “Drejtësi për Astritin”.
Andin Hoti, përpos që akuzoi VV-në se ka fshirë grafitin për babain e tij, tha se VV, përkundër faktit se e përmend filozofinë politike të babait të tij, ata vetëm e kanë keqpërdorur atë njësoj sikurse po e keqpërdorin emrin e aktivistit të vdekur, Astrit Dehari.
E Vetëvendosje e akuzoi djalin e Ukshin Hotit se ai po e ndjekë rrugën e PDK-së ndërsa VV-ja vazhdon të ndjekë rrugën dhe filozofinë politike të babait të tij./Insajderi.com