Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit, Mustafë Myrtajn i cili është nga komuniteti egjiptian. Deri te shkarkimi i tij erdhi pasi Partia Liberale Egjiptiane kërkoi një gjë të tillë nga kryeministri. Partia kishte hedhë një varg akuzash ndaj tij, ndër tjera edhe për racizëm brenda komunitetit. Këto akuza i mohon tashmë ish-zëvendësministri Myrtaj.
Ishte vendimi i 18 shkurtit 2018 i Partisë Liberale Egjiptiane që i kushtoi me largim nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit, Mustafë Myrtajt. Në vendimin e kryesisë së kësaj partie, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, ndër tjera Myrtaj akuzohet edhe për racizëm në mesin e komunitetit të tij.
“Deklarime dhe ofendime raciste mbi bazën e ngjyrës dhe dukjes ndaj bashkpartiakëve të PLE-së dhe komunitetit Egjiptian”, thuhet në vendimin e partisë për shkarkimin e tij.
Sipas partisë, Myrtaj nuk e kishte përfaqësuar denjësisht as partinë dhe as komunitetin.
“Myrtaj kishte komunikim të rregullt me kundërshtarët politik të PLE-së dhe kundërshtarët kombëtar të Egjiptianëve të cilët e mohojnë Egjiptianizmin dhe punojnë për shkatërrimin e PLE-së dhe disa bashkpartiakë në PLE me të cilët kishte tentuar të bëjë komplote dhe kishte shpërndarë sekretet e PLE-së dhe planeve tjera”, vazhdon vendimi.
Madje aty thuhet se ai kishte përdorur edhe “shantazhime dhe kërcënime me motive të ulëta”.
“Të gjitha këto veprime të z. Myrtaj ishin bërë për të rritur ndikimin dhe fuqinë e tij politike në PLE, për të mbetur padrejtësisht ndaj tjerëve zv.ministër dhe për qëllime të ulëta nuk e kishte kursyer asnjë veprim vetëm e vetëm ta shkatërrojë PLE-në”, thuhet tutje në vendim.
Por tashmë ish-zëvendësministri Mustafë Myrtaj, i ka thënë Gazetën Insajderi se asnjë nga akuzat e partisë nuk qëndrojnë.
“Partia më datën 18 shkurt 2018 paska marrë vendim për shkarkimin tim pa prezencën time. Juridikisht është dashur të thirrem në organin e partisë dhe të deklarohem”, ka thënë Myrtaj për Insajderin.
Ai i mohon akuzat për racizëm.
“Asnjë nuk qëndron, sepse ne si komunitet atë e kemi si fillesa të para – mosdiskriminimin, mbështetjen, integrimin, jo vetëm të komunitetit egjiptian, por të të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai për gazetën.
Pas shkarkimit Myrtaj ka dhënë dorëheqje nga Partia Liberale Egjiptiane.
Megjithatë, Myrtaj habitet se si kryeministri e shkarkoi pa asnjë arsyetim.
“Është një çudi sepse unë jam shkarkuar pa asnjë arsyetim, dhe tash nuk po di se si ta njoftoj opinionin dhe komunitetin se cili është shkaku i shkarkimit tim”, ka thënë ai.
Në fakt, vendimi i kryeministrit për shkarkimin e tij nuk përmban asnjë arsyetim.
Por, siç duket, arsyeja e shkarkimit ka qenë kërkesa e partisë drejtuar kryeministrit për shkarkimin e tij.
Zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi ka thënë për Gazetën Insajderi se shkarkimi ka ardhur me kërkesë të partisë.
“Emërimet dhe shkarkimet bëhen me kërkesë të partive të cilave ata u përkasin”, ka thënë shkurt ajo.
Por Myrtaj habitet se si kryeministri e shkarkoi me kërkesë të partisë, duke thënë se ai i përgjigjet Qeverisë dhe jo partisë.
“Me rastin e delegimit nga partia në pozitën e zëvendësministrit hiqet përgjegjësia nga partia dhe unë i përgjigjem kryeministrit të vendit, sepse kryeministri i emëron dhe shkarkon zëvendësministrat”, është arsyetuar Myrtaj.
Ai ka thënë se është zëvendësministri më i përfillshëm.
Për më tepër, pas shkarkimit të tij si zëvendësministër i Arsimit, Myrtaj ka dhënë dorëheqje nga partia duke adresuar shumë akuza ndaj kryetarit të partisë, Veton Berisha.
Për të ka thënë se ka pasur sjellje autoritare dhe marrje vendimesh pa konsultime me partinë. Gjithashtu, e ka akuzuar edhe për menaxhim të padrejtë të financave nga diaspora, edhe pse ishte zyrtari për këtë çështje.
Myrtaj dhe Berisha kanë edhe lidhje familjare. Por për shkak të këtyre zhvillimeve, Myrtaj ka vendosur që përgjithmonë t’i ngrijë marrëdhëniet familjare.
Por kryetari i partisë PLE, Veton Berisha, ka vendosur të mos merret me deklarimet e Myrtajt.
“Nuk do të merrem me akuzat e z. Myrtajt. Do të kërkoj që të gjitha akuzat e tij të vërtetohen në gjykatë, dhe cilido që ndihet fajtor të gjykohet”, ka thënë shkurt Berisha për Insajderin.
Pas shkarkimit të Mustafë Myrtajt, kryeministri Haradinaj ia ka gjetur zëvendësin e tij. Ai është Artan Berisha, nga po kjo parti. Sipas PLE-së, zëvendësministri i ri është njeriu më i votuar pas Myrtajt./Insajderi.com